Wednesday, March 13, 2013

Profil: Papa Françesku I

Një intelektual i rreptë jezuit i cili modernizoi atë që kishte qenë një prej kishave më konservatore në Amerikën Latine...
"Al-Xhazira"
Argjentinasi Jorge Mario Bergoglio, i cili u zgjodh Papë më 13 mars, ka zgjedhur si emër papal Françeskun, duke u bërë kështu pontifi i parë nga Amerikat dhe i pari nga jashtë Evropës në më shumë se një mijëvjeçar.
Bergoglio, intelektuali i rreptë jezuit i cili modernizoi atë që ka qenë një prej Kishave Katolike Romane më konservatore në Amerikën Latine, e ka kaluar pothuajse të gjithë karrierën e rij në vendlindje, në Argjentinë, duke mbikëqyrur shumë kisha dhe priftërinj.
76-vjeçari thuhet se mori numrin më të madh të votave pas Jozef Ratzingerit në zgjedhjet papale të vitit 2005, dhe ka specializim të gjatë në llojin baritor të punës, për të cilën shumë thonë se është një aftësi e domosdoshme për Papën.
Fillimisht i trajnuar si kimist, Bergoglio mësoi letërsi, psikologji, filozofi dhe teologji para se të merrte përsipër kryepeshkopatën e Buenos Airesit në vitin 1998.
“Në vetëm gjashtë vite, ai u bë nga prift në një manastir të vogël province, në Kryepeshkop të Buenos Airesit dhe Kardinal Primat i Argjentinës. Karriera e tij ka qenë meteorike”, tha biografi i autorizuar i Bergoglios, Segio Rubin.
Bergoglio u bë kardinal në vitin 2001, kur ekonomia ishte në kolaps, dhe fitoi respektin e njerëzve pasi fajësoi kapitalizmin e shfrenuar për varfërimin e miliona argjentinasve.
Influenca politike
Bergoglio njihet për përpjekjet e tij për riparimin e reputacionit të një Kishe që kishte humbur shumë ndjekës pas dështimit për të sfiduar hapur diktaturën gjakatare të Argjentinës (1976-1983).
Ai po ashtu punoi për rifituar influencën tradicionale politike në Kishës në shoqëri.
Por, influenca e tij u duk se ndaloi në Pallatin Presidencial pasi Nestor Kirchner e më pas bashkëshortja e tij, Kristina Fernandez, erdhën në postin e Presidentit.
Kritikat e tij të sinqerta nuk mundën ta parandalonin kthimin e Argjentinës në shtetin amerikano-latin që legalizoi martesat e homoseksualëve, apo Fernandezin nga promovimi i kontraceptivëve falas dhe riprodhimit artificial.
Kisha e tij mbeti pa fjalë kur Gjykata Supreme e Argjentinës zgjeroi qasjen e abortit edhe në rastet e përdhunimit, dhe kur Bergoglio argumentoi se birësimet homoseksuale përbëjnë diskriminim ndaj fëmijëve, Presidentja Fernandez e krahasoi tonin e tij me “kohën e mesjetës dhe inkuzicionin”.
Sikundër intelektualët e tjerë jezuitë, Bergoglio është fokusuar në shtrirjen e kontakteve sociale.
Fjalimi i fuqishëm
Katolikët ende gumëzhijnë lidhur me fjalimin e tij të vitit të fundit ku akuzonte zyrtarët e tjerë të kishës për hipokrizi pasi kishin harruar se Jezu krishti kishte ngrënë me prostituta.
“Në rajonin tonë kishtar ka priftërinj që nuk pagëzojnë fëmijët e nënave beqare ngase ata nuk janë konceptuar në shenjtërinë e martesës”, u tha Bergoglio priftërinjve të tij.
“Këta janë hipokritët e ditëve tona…dhe kjo vajzë e gjorë, që në vend t’ia rikthejë fëmijën Krijuesit, pati kurajën ta sjellë atë në jetë, duhet të bredhë nga një famulli në tjetrën në mënyrë që ta pagëzojë fëmijën e saj”, tha ai.
Bergoglio e krahasoi këtë koncept të katolicizmit, “kjo Kishë e “eja brenda në mënyrë që t’i marrim vendimet e japim lajmërimet mes veti ndërsa ata që nuk vijnë, nuk na përkasin”, me farisenjtë e kohës së Krishtit: njerëz të cilët përgëzojnë veten teksa dënojnë të tjerët.
Si kreu i Kishës së Argjentinës, ai kurrë nuk jetoi në rezidencën e zbukuruar tëinstitucionit, duke preferuar një krevat të thjeshtë në një dhomë në qendër të qytetit, të ngrohur nga një stufë e vogël në fundjavat e akullta.
Për vite të tëra, ai udhëtoi përreth qytetit me transport publik, dhe gatoi vetë.
Bergoglio është ngadalësuar paksa me kalimin e moshës dhe po ndjen efektet e mushkërisë së hequr për shkak të infeksionit në adoleshencë – dy goditje kundër tij në një kohë që shumë vëzhgues të Vatikanit thonë se Papa i radhës duhej të ishte relativisht i ri dhe i fortë.  Illyrians Page.

No comments:

Post a Comment